Home . Aktualitet . Borxhlinjtë: Emrat e 15 kompanive që kanë 59 miliardë lekë detyrime tek Tatimet

Borxhlinjtë: Emrat e 15 kompanive që kanë 59 miliardë lekë detyrime tek Tatimet

Janë të paktën 15 kompani që kanë të akumuluar tek Tatimet një borxh që kap vlerën mbi 59 miliardë lekë. Kjo përbën 40.4 % të borxhit të akumuluar ne fund te vitit 2016. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve lista përfshin emra të kompanive private por edhe publike.

Kompania që ka detyrimin më të madh ndaj tatimeve është ARMO, me një borxh prej 21 miliardë lekësh, që pasohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me 10 miliardë lekë dhe e treta në listë Korporata Elektroenergjitë Shqiptare me mbi 8.3 miliardë lekë.

Loading...

Më pas renditen Deveron Oil (nënkontraktori i ARMO) me 7 miliardë lekë, Glob-Oil-SHa (1.7 mld lek); GeoTech Albania (1.7 mld lek);  Top Bast (1.65 mld lek); Bankers Petroleum (1.46 mld lek); Belle Air (1.1 mld lek). Kompanitë e tjera kanë midis 700 dhe 830 mln lekë detyrime të papaguara.  (shih tabelën më poshtë).

Ndërkohë burime nga Bankers sqaruan për Monitor se kompania nuk ka detyrime të papaguara në Tatime. “Edhe vlerësimi tatimor prej 5 miliardë lekë + 2.5 miliardë lekë i vendosur nga tatimet në vitin 2015 është tashmë zeruar nga tatimet pas vendimit të eksperteve të pavarur në favor të Bankers”.

Borxhi tatimor deri në fund të 2016

Loading...

Sipas tatimeve në rritjen e detyrimeve tatimore të papaguara në afat, peshën kryesore e zënë kompanitë ARMO, OSHEE dhe KESH me 40 miliard lekë ose 27.2 % të të gjithë shumës së borxhit të papaguar në fund të vitit 2016.  Peshë të rëndësishme në totalin e borxhit zënë edhe subjektet buxhetore dhe entet publike me rreth 17% të totalit të stokut të borxhit në fund të vitit 2016.

Sakaq në fund të vitit 2016 gjendja e detyrimeve të papaguara arrin në rreth 147 miliardë lekë duke shënuar një rritje prej 45,5%, krahasuar me një vit më parë.  Tatimet theksojnë, se në vlerën e borxhit janë futur edhe detyrimet tatimore të cilat janë ankimuar nga ana e tatimpaguesve dhe janë në procese shqyrtimi gjyqësor.

Për vitin 2016 vlera e detyrimeve në proces shqyrtimi gjyqësor është rreth 37.338.391 mijë lekë, e cila faktikisht nuk është kthyer akoma në detyrim për tu paguar.  Kjo shumë i përket 541 tatimpaguesve që janë në procese gjyqësore.  Duke zbritur këtë vlerë nga shuma totale, shuma e detyrimeve tatimore të papaguara tatimore në fund të vitit 2016 realisht është 109.729.679 mijë lekë si në tabelën e mëposhtëme.

Përveç shtimit të detyrimeve të papaguara në vlerë ka edhe rritje të ndjeshme të numrit të bizneseve të cilat kanë këto detyrime.  Në fund të vitit 2016 numri i këtyre bizneseve arriti në 146.650 dhe nga keto 70,519 tatimpagues janë aktualisht me status aktiv dhe diferenca për 76,131 janë tatimpagues me status pasiv.

Borxhi i ri

Ndërsa borxhi tatimor total kap vlerën 147 miliardë lekë vetëm borxhi i ri tatimor nga 1 janari në fund shtator 2017 vlerësohet në 35 miliardë lekë  kurse detyrimet e arkëtuara për të njëjtën periudhë janë në masën 15 miliardë lekë.

“Duke marrë parasysh fshirjet e detyrimeve tatimore të zbatuara deri tani gjatë muajit tetor, shuma totale e borxhit zbret në 111.7 miliard lekë dhe duke zbritur këtu edhe 37.338.391 mijë lekë detyrime në proces shqyrtimi gjyqësor, kjo shumë zbret 74.4 miliard leke” pohojnë Tatimet.

Këta tatimpagues paraqiten si më poshtë në 000 lekë:

Fshirja e detyrimeve

Në të dhënat më sipër nuk janë përfshirë edhe fshirjet e borxheve me dhe pa kushte, të zbatuara gjatë muajit tetor 2017, për 13,210 tatimpagues me një shumë prej rreth 8.84 miliard lekë. Duke marrë parasysh fshirjet e detyrimeve tatimore të zbatuara deri tani gjatë muajit tetor, shuma totale e borxhit zbret në 111.7 miliard lekë dhe duke zbritur këtu edhe 37.338.391 mijë lekë detyrime në proces shqyrtimi gjyqesor, kjo shumë zbret 74.4 miliard leke.

Nga të dhënat e tabelës rezulton se ARMO ka përfituar fshirjen e 11.5 mld lekëve nga falja fiskale, ose më shumë se gjysmën e detyrimit.(Monitor)

Komento
Loading...
Mos Humbisni:
E vranë sërish Valbonën

Close