Home . Aktualitet . Bota . SHBA, Trump: Jeruzalemi, kryeqytet i Izraelit. DASH paralajmëron

SHBA, Trump: Jeruzalemi, kryeqytet i Izraelit. DASH paralajmëron

Presidenti amerikan Donald Trump përmbysi një politikë disa dekadëshe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke njohur zyrtarizht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, pavarësisht paralajmërimeve nga e gjithë bota se ky veprim do të nxiste trazira mes izraelitëve dhe palestinezëve në Lindjen e Mesme.

Në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, Trump tha se administrata e tij do të nisë edhe procesin e transferimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Tel Avivi në Jeruzalem, gjë që pritet të marrë disa vite kohë.

Loading...

Trump e quajti vendimin e tij si një hap “tejet të vonuar” për të avancuar procesin e paqes.

“Kam vendosur se ka ardhur koha që ta njohim zyrtarizht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, – tha Trump. – Edhe pse presidentët e mëparshëm e kanë pasur një nga premtimet kryesore të fushatave të tyre presidenciale, ata të gjithë kanë dështuar të ecin më tej. Sot unë po e hedh këtë hap”.

Trump vepron kështu bazuar mbi ligjin e vitit 1995, që u kërkon Shteteve të Bashkuara të transferojnë Ambasadën e tyre në Jeruzalem. Paraardhësit e tij, nga Bill Clinton, George Ë. Bush e deri te Barack Obama ishin tërhequr nga ky vendim për të mos përflakur më tej tensionet në Lindjen e Mesme.

Loading...

Ndihmësit e Trump pretendojnë se kjo lëvizje reflekton realitetin e Jeruzalemit, si qendra e besimit hebre dhe faktin se qyteti është seli e qeverisë izraelite.

Ndërkohë, një i dërguar palestinez tha se vendimi i Trumpit ishte një “deklaratë lufte” për Lindjen e Mesme. Papa Françesku gjithashtu kishte bërë thirrje që të respektohej “status quo”-ja e Jeruzalemit, pasi sipas tij tensionet e mëtejshme në këtë rajon do të nxisnin konflikte në mbarë botën. Edhe Kina e Rusia shprehën shqetësim mbi planet e Trump, sepse sipas tyre do të përkeqësojnë armiqësitë në Lindjen e Mesme.

Pak më herët nga fjalimi i Trump, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se u kishte nisur këtë të mërkurë një kabllogram të gjitha përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës anembanë botës, ku iu kërkohet zyrtarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Izraelit, Jeruzalemit apo Bregut Perëndimor deri më 20 dhjetor.

Lajmi u publikua nga agjencia e lajmeve “Reuters”, e cila ka mundur të disponojë një kopje të kabllogramit.

“Ambasada e Tel Avivit dhe Konsullata e Përgjithshme e Jeruzalemit u kërkon vizitorëve që të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Izraelit, Jeruzalemit apo Bregut Perëndimor, nga data 4 dhjetor deri më 20 dhjetor 2017”, thuhet në kabllogram, ku megjithatë nuk specifikohet arsyeja e kësaj kërkese.

Një gjë e tillë është fort e kuptueshme që ka lidhje me tensionimin e situatës në Lindjen e Mesme, pas njohjes zyrtare të Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Fjalimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë do të pasohet nga një tjetër fjalim i kreut të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Top Channel

Komento
Loading...
Mos Humbisni:
Komentet/ Deklarata në gazetën ruse, lexuesit “masakrojnë” Bashën

Close